Rreth Konferencës

Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC), e themeluar në vitin 1972, bashkon 41 gjykata kushtetuese dhe institucione të tjera të ngjashme që ushtrojnë juridiksion kushtetues në Evropë. 

Kjo Konferencë filloi si një nismë e kryetarëve të gjykatave kushtetuese themeluese (Gjermani, Austri, Itali) për të siguruar një shkëmbim të rregullt të përvojave në praktikën dhe jurisprudencën kushtetuese në përgjithësi, brenda kontekstit evropian, duke i kushtuar vëmendje të posaçme respektimit të parimit të pavarësisë së gjyqësorit.

Qëllimi

Konferenca promovon shkëmbimin e informacionit mbi metodat e punës dhe jurisprudencën kushtetuese të gjykatave anëtare së bashku me shkëmbimin e opinioneve për çështje institucionale, strukturore dhe operacionale në lidhje me të drejtën publike dhe juridiksionin kushtetues, si dhe ndërmerr hapa për të rritur pavarësinë e gjykatave kushtetuese si një faktor thelbësor në garantimin dhe zbatimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, veçanërisht me synimin për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo mbështet përpjekjet për të mbajtur kontakte të rregullta ndërmjet Gjykatave Kushtetuese Evropiane dhe institucioneve të ngjashme.