Kryesimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë 2024-2027
Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC)
Të nderuar vizitorë,
Është një kënaqësi dhe nder i veçantë t’ju mirëpresim në këtë faqe zyrtare që përmban informacion të detajuar rreth kryesimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane për periudhën 2024–2027. Gjykatat anëtare na dhanë besimin duke vlerësuar se, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë jo vetëm ndan vlera dhe parime themelore me institucionet homologe evropiane në fushën e drejtësisë kushtetuese, por gjithashtu mishëron përkushtimin dhe përgjegjësinë për ta përmbushur me dinjitet dhe sukses këtë mision të rëndësishëm.
Për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, kryesimi i kësaj Konference, së bashku me organizimin e Kongresit të saj të XX-të në Shqipëri në vitin 2027, përbën njëkohësisht një moment krenarie të veçantë dhe një përgjegjësi të lartë institucionale. Ai përfaqëson gjithashtu një mundësi të vyer për të kontribuar me zërin tonë në një dialog evropian gjithnjë e më të domosdoshëm, në një kohë kur demokracia dhe shteti i së drejtës përballen me sfida të reja dhe gjithnjë e më komplekse.
Ne jemi të bindur se drejtësia kushtetuese zhvillohet dhe konsolidohet jo vetëm përmes vendimmarrjes gjyqësore, por edhe përmes dialogut që ajo nxit, besimit që ndërton dhe ndikimit që ushtron mbi shoqërinë dhe dimensionin njerëzor. Në këtë kuptim, kryesimi ynë përfaqëson më shumë se një mandat formal, ai është një angazhim i qëndrueshëm për të afruar gjykatat, për të thelluar bashkëpunimin dhe për të nxitur një reflektim të përbashkët mbi të ardhmen e rendit kushtetues në Evropë.
Rrugëtimi drejt Kongresit të ardhshëm, i cili do t’i kushtohet temës aktuale dhe me rëndësi të veçantë “Liria e shprehjes – lajmet e rreme (fake news) si kërcënim për demokracinë”, nuk përbën thjesht një sfidë organizative për garantimin e mbarëvajtjes së tij sa më të suksesshme, por mbi të gjitha një proces që synon të nxisë diskutime thelbësore dhe të pasurojë më tej jurisprudencën tonë të përbashkët në këtë drejtim.
Kjo platformë përbën një ftesë të hapur për të eksploruar, për të reflektuar dhe për t’u bërë pjesë aktive e këtij dialogu. Ju ftojmë të njiheni me materialet e publikuara, si dhe të ndiqni hap pas hapi veprimtarinë e Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese.
Fiona Papajorgji, PhD
Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë
Kryetare e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane
2024-2027
Kryesimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i CECC
Rreth CECC
Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC), e themeluar në vitin 1972, bashkon 41 gjykata kushtetuese dhe institucione të tjera të ngjashme që ushtrojnë juridiksion kushtetues në Evropë.
Ajo ka për qëllim të promovojë shkëmbimin e informacionit mbi metodat e punës dhe praktikën gjyqësore të gjykatave anëtare, si dhe shkëmbimin e mendimeve mbi çështje institucionale, strukturore dhe operacionale në fushën e së drejtës publike dhe juridiksionit kushtetues.
Ky bashkëpunim bazohet në respektin e ndërsjellë dhe në parimin e pavarësisë gjyqësore, si një faktor kyç në garantimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë u bë anëtare me të drejta të plota e këtij forumi në vitin 2000, gjatë Kongresit të XII-të, të kryesuar nga Gjykata Kushtetuese e Belgjikës në Bruksel. Që prej asaj kohe, ajo ka marrë pjesë rregullisht në kongreset dhe aktivitetet e CECC.
Në Kongresin e XIX-të, të mbajtur në Kishinau dhe të kryesuar nga Gjykata Kushtetuese e Moldavisë, Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë iu besua kryesimi i CECC për periudhën 2024–2027, si dhe organizimi i Kongresit të XX-të në vitin 2027, në Shqipëri.
Në kuadër të këtij kryesimi, më 28 shkurt 2025, në Tiranë, u zhvillua Takimi i parë Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve — një nga organet kryesore drejtuese dhe vendimmarrëse të Konferencës — ku, ndër të tjera, u përcaktua edhe tema e Kongresit.
Për më shumë informacion mbi Konferencën, historikun, organizimin e saj dhe kongreset e mëparshme, ju lutem vizitoni faqen e dedikuar informuese mbi CECC në lidhjen përkatëse.
Anëtarët








































