Rrethi i Kryetarëve
Në kuadër të kryesimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) për periudhën 2024-2027, u zhvillua në Tiranë, në datën 28 shkurt 2025, takimi përgatitor i Rrethit të Kryetarëve, i cili është një prej organeve drejtuese dhe vendimmarrëse të kësaj Konference.
Në përputhje me Statutin e Konferencës dhe në përmbushje të funksionit të tij si organ vendimmarrës, Rrethi i Kryetarëve miratoi një sërë rezolutash në lidhje me temën, datat, si dhe aspektet e tjera organizative të Kongresit të XX-të të CECC, i cili do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2027.
Një moment i rëndësishëm i punimeve të takimit të Rrethit të Kryetarëve ishte edhe shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim në CECC e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo kërkesë u miratua nga shumica e gjykatave kushtetuese anëtare, duke shënuar një ngjarje historike për këtë gjykatë pas katërmbëdhjetë vite përpjekjesh për t’u integruar në rrjetin e gjykatave kushtetuese evropiane.
Duke qenë një takim përgatitor që mbart një rëndësi të veçantë për funksionimin dhe veprimtarinë e Konferencës, si dhe të aktiviteteve që organizohen në kuadër të saj, mbarëvajtja e punimeve të tij përbën një premisë për realizimin me sukses të Kongresit të XX-të, duke kontribuuar kështu në forcimin e imazhit dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në hapësirën evropiane.