Historiku

Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC)

Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane është themeluar në vitin 1972 dhe sot bashkon në gjirin e vet 41 gjykata kushtetuese/institucione ekuivalente të Evropës.

Kjo Konferencë filloi si një iniciativë e kryetarëve të gjykatave kushtetuese themeluese (Gjermani, Austri, Itali) për të siguruar një shkëmbim të rregullt të përvojave në praktikën dhe jurisprudencën kushtetuese në përgjithësi, brenda kontekstit evropian, duke i kushtuar vëmendje të posaçme respektimit të parimit të pavarësisë së gjyqësorit.

Duke marrë parasysh çështjet e shumta organizative dhe teknike të shtruara nga numri gjithmonë në rritje i gjykatave pjesëmarrëse, u bë i nevojshëm krijimi i një kuadri formal dhe përcaktimi i rregullave statutore mbi bazën e të cilave Konferenca do të arrinte objektivat e saj.

Kuadri Statutor dhe Organizimi

Aktualisht, drejtimi i Konferencës bazohet në Statutin e miratuar në Kongresin e XI në Varshavë, në vitin 1999, si dhe në Rregulloren e miratuar në Kongresin e XII në Bruksel, në vitin 2002.

Kryesimi i Konferencës (dhe i Rrethit të Kryetarëve) bëhet nga Kryetari i Gjykatës që do të presë Kongresin e ardhshëm; e njëjta gjykatë siguron edhe shërbimet e Sekretariatit të Konferencës. Deri më sot janë organizuar 19 kongrese.

Kryesimi dhe Aktivitetet e Fundit

Së fundmi, pas Gjykatës Kushtetuese të Republikës Moldavisë, kryesinë e radhës të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) e ka Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë për një mandat tre vjeçar (2024–2027) dhe Kongresi i XX do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027.

Ky Kongres u parapri nga mbledhja e Rrethit të Kryetareve që u zhvillua në Tiranë, Shqipëri, në datën 28 shkurt 2025.

Pjesëmarrja e Shqipërisë

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë që janë zhvilluar në kuadër të këtij organizmi që prej anëtarësimit të saj me të drejta të plota në vitin 2000 gjatë Kongresit të XII të mbajtur në Bruksel.